• Çfarë fsheh qyteti?

    03.10.202331.12.2025
    1 / 16

    “Çfarë fsheh qyteti” është një aktivitet edukativ i Muzeut Marubi i propozuar për herë të pare në vitin 2018, i cili ka si synim ndërgjegjësimin e brezave të rinj ndaj trashëgimisë kulturore.
    Si pikënisje për dy edicionet e para, ka qenë arkivi i Muzeut Marubi ku përmes imazheve dhe gjëegjëzave rreth tyre, ata kanë zbuluar Shkodrën e ‘një kohe tjetër’ si dhe historinë e shumë godinave të cilat sot kanë ndryshuar funksion ose nuk ekzistojnë më, apo edhe monumenteve kushtuar personaliteteve me rëndësi kombëtare.
    Duke parë ecurinë e dy edicioneve të para, kemi menduar ta vijojmë si program duke u fokusuar në histori “më lokale” ku përmes punimeve në mediume të ndryshme - fotografi, video intervista, harta, makete - pjesëmarrësit gjurmojnë ngjarje, personalitete, godina, tradita, artizanat të lagjes ku banojnë, të përcjella përmes kujtimeve të prindërve, gjyshërve, komshijve, banorëve duke ndërtuar kështu një mozaik historish që lidhen me kujtesën urbane të një hapësire që ata e jetojnë në përditshmëri.

    Program synon përfshirjen e nxënësve të shkollave publike 9-vjeçare – nga klasa e 5-të në klasën e 9-të – të cilët të asistuar nga stafi pedagogjik, familja dhe komuniteti, arrijnë të njihen më mirë me histori që kanë formësuar identitetin e hapësirave të jetuara, por që shpesh janë neglizhuar, harruar, kanë mbetur të patrajtuara apo thjesht, risillen në kujtesë.
    Në procesin e punës, i cili do të ketë një kohëzgjatje mujore, stafet pedagogjike të shkollave do të asistohen nga stafi i Muzeut Marubi si për nga linjat drejtuese në punën me grupin e pjesëmarrësve ashtu edhe për nga asistenca teknike në prezantimin e fundit që nxënësit do të realizojnë në muze.
    Në përzgjedhjen e shkollave, një rëndësi e veçantë i është kushtuar shtrirjes së qytetit dhe rrethinave të tij duke u kujdesuar në përfaqësimin e të gjitha lagjeve, si ato më qendrore e po ashtu edhe ato më periferike e zonave rurale.

    Takimet dhe prezantimet do të realizohen gjatë viteve akademike 2023-2024 dhe 2024-2025, kjo në varësi të programeve mësimore të shkollave dhe programeve të tjera të Muzeut Marubi. Me përfundimin e programit, do të publikohet një botim i cili synon ndërgjegjesësimin ndaj rëndësinë së trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, të reflektuar në imazhet e Muzeut Marubi, e që sot shërbejnë si pikënisje për rrëfimin e historive të reja.