Thirrje për artikuj shkencorë: Ndikimi i Fotografëve Italianë në Vendet e Mesdheut gjatë Shekullit XIX

25-04-14-Alinari-Marubi.jpg

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në bashkëpunim me Fondazione Alinari per la Fotografia dhe me mbështetjen e Istituto Italiano di Cultura di Tirana, ka kënaqësinë të shpallë një thirrje për konferencë shkencore mbi ndikimin e fotografëve italianë në vendet e Mesdheut gjatë shekullit XIX. Aktiviteti do të mbahet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër në datat 17-18 tetor 2025.

Konferenca do të eksplorojë ndikimin e fotografëve italianë të cilët jo vetëm udhëtuan nëpër Mesdhe, por krijuan gjithashtu edhe studio fotografike dhe praktika profesionale për këtë rajon. Puna e tyre luajti një rol vendimtar në formësimin e traditave fotografike vendase, në ndjeshmërinë artistike dhe praktikat dokumentare. Në shekullin XIX fotografia u bë një mjet thelbësor për dokumentimin e kulturave, peizazheve dhe traditave të ndryshme të Mesdheut. Fotografët italianë prezantuan teknika novatore dhe stile vizuale që ndikuan shumë në zhvillimin e mediumit, në vendet ku ata punuan. Duke ngritur studio fotografike, jo vetëm dokumentuan transformime sociale dhe kulturore, por gjithashtu formuan fotografë vendas, duke lënë një trashëgimi të qëndrueshme që ndihmoi në përcaktimin e identiteteve vizuale kombëtare. Puna e tyre, duke filluar nga fotografia e portreteve dhe e peizazhit e deri tek studimet etnografike, ndihmoi në formësimin e narrativës vizuale të Mesdheut, duke ndikuar njëkohësisht në perceptimet vendase dhe evropiane.

Një vëmendje e posaçme do t'i kushtohet figurës së Pietro Marubbi-t, fotografit italian që u vendos në Shqipëri dhe themeloi të parën studio fotografike shqiptare në Shkodër, nga ku zë fill edhe arkivi i muzeut të famshëm për fotografinë “Marubi”. Ky arkiv mbetet një burim historik i çmueshëm dhe organizimi i kësaj konference pranë Muzeut “Marubi” nderon kontributin e Pietros në trashëgiminë fotografike të rajonit.

Tematikat dhe trajtesat

Ftojmë studiues të paraqesin punime që eksplorojnë një sërë tematikash që lidhen me fotografët italianë në Mesdhe gjatë shekullit XIX duke përfshirë (por pa u kufizuar):

• Raste studimore të fotografëve italianë që krijuan studio në vendet e Mesdheut

• Teknikat fotografike të përdorura nga fotografët italianë në shekullin XIX

• Ndikimi i studiove fotografike italiane në traditat fotografike vendase

• Roli i fotografëve italianë në komercializimin dhe institucionalizimin e fotografisë në Mesdhe

• Kontributet e fotografëve italianë në trashëgiminë artistike dhe historike të rajonit

• Si ndihmoi fotografia në përhapjen e kulturës dhe ideve mesdhetare

• Roli i fotografisë në formësimin e turizmit dhe perceptimit publik për Mesdheun

Udhëzime për përgatitjen e artikujve shkencorë

Mirëpresim artikuj shkencorë nga studiues të interesuar për këto tematika.

Propozimet duhet të përfshijnë:

• Një abstrakt (maksimumi 800 fjalë)

• Një biografi të shkurtër e autorit/-es (maksimumi 300 fjalë)

Gjuhët: Anglisht, italisht, shqip

Tarifa e konferencës: pa tarifë

Afate të rëndësishme

Afati i dorëzimit të abstrakteve: 15 qershor 2025

Njoftimi i Pranimit: 15 korrik 2025

Dorëzimi i artikullit të plotë : 15 shtator 2025

Komiteti Shkencor

Claudia Baroncini, drejtoreshë e Fondazione Alinari per la Fotografia

Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”

Cosimo Chiarelli, asistent profesor pranë Universitetit të Pisa-s

Zef Paci, profesor i historisë së artit and pikturës në Fakultetit e Arteve, Tiranë

Alessandro Ruggera, drejtor i Istituto Italiano di Cultura di Tirana

Rita Scartoni, drejtuese projektesh pranë Fondazione Alinari per la Fotografia

Emanuela Sesti, historiane e fotografisë dhe konsulente shkencore pranë Fondazione Alinari per la Fotografia

Për më shumë informacion dhe për të dërguar propozimin tuaj, ju lutemi kontaktoni në info@marubi.gov.al