Llulla prej balte të periudhës osmane në Kalanë e Shkodrës[1]

Anna de Vincenz
P1.jpg

Në ditarët e udhëtimit të Master Thomas Dallam lexojmë që tymosja e llullës u përhap në Levant që prej vitit 1599[2]. Për herë të parë e gjejmë në Egjipt mes viteve 1601 dhe 1603 e që prej 1605-ës u bë traditë edhe në Turqi. Më pas u përhap shpejt në Perandorinë Osmane, megjithëse fillimisht për qëllime mjeksore. Shumë shpejt duhanpirja filloi të shkaktonte varësi, duke e detyruar kështu Sulltan Ahmetin I ta ndalonte që në vitin 1612.Murati IV e nxori jashtë ligji në vitin 1633 dhe shumë veta u ekzekutuan si pasojë. Megjithatë, përkundër ndalimit, disa lagje të Stambollit u dogjën në vitin 1637 për shkak të një llulle të ndezur (duhet të dimë që banesat gjatë Periudhës Osmane ishin prej druri ndaj dhe kapeshin flakë shumë kollaj). Më 1646, qeveria e Mehmetit IV e hoqi ndalimin sepse e perceptoi duhanpirjen si burim shumë të rëndësishëm të ardhurash. Që prej asaj kohe, përdorimi i duhanit dhe duhanpirja u përhap shpejt e si rezultat i kësaj, edhe qendrat për prodhimin e llulave u hapën në shumë qytete. Qyteti i Lüleburgaz-it e mori emrin nga numri i madh i punishtave të llullave që u vendosën aty. Të tjera u hapën në Stamboll, Sivas, Konia, Kayseri, Diyarbakır, Kütahya dhe Iznik[3]. Prej gjysmës së shekullit XVIII, tymosja e llullës u përhap mes burrave e grave, varësisht moshës dhe rangut shoqëror. Një tjetër modë mjaft popullore, përveç tymosjes së llullës, ishte tymosja e nargjilesë, një llullë uji e cila filloi të përdorej gjatë mbretërimit të Muratit IV. Me të tymosje një duhan të veçantë të quajtur tumbak[4]. Në Perëndim, cigaret u futën në modë përgjatë shekullit XX dhe kjo e uli ndjeshëm tymosjen e llullës. Punishta e fundit ose atölye me pronar Ömer Usta, u mbyll më 1928. Ustallarët ose prodhuesit e llullave ishin pronarë të punishtave ku punësonin shumë shegertë, secili me një detyrë të posaçme në procesin e prodhimit të llullës. Shegertët përgatisnin baltën dhe e derdhin në kallëp. Më pas latuesit e zgavëronin llullën për t’ja kaluar gdhendësve dhe praruesit të cilët kryenin proceset përkatëse. Tymosja e llullës u zhduk ndërsa moda e nargjilesë vazhdoi.

Llullat që përdoreshin në Afrikë dhe në Mesdheun Lindor, të ashtuquajturat çibukë, ishin të vogla e të stolisura me dekorime në miniaturë, përfshirë këtu edhe një kokë të rrumbullakët me pipë të ndarë. Ata gjinden në të gjitha sitet arkeologjike të periudhave të ndryshme të sundimit osman. Së fundmi, janë gjetur edhe disa të datuara në Rusi, në disa varreza të shekullit XIX.[5]

Pjesa më e madhe e llullave gjinden në koleksione private dhe rrallëherë kanë ngjallur interesin e arkeologëve. Studime të llullave të periudhës osmane në vitet e fundit, përfshijnë punime nga Athina, Korinti[6], po ashtu edhe nga Saraçhane, Stamboll[7]. Një tjetër studim mbi llullat nga Tophane, Stamboll u publikua nga Erdinç Bakla[8]. Ky studim nuk trajton vetëm llullat, por edhe koleksionin e plotë të traditës së tymosjes dhe pirjes së kafes në kulturën e Perandorisë Osmane. Hüseyin Kocabaş analizoi kryesisht llullat nga punishtat e Tophanes[9]. Boško Mijatović[10] bëri një studim të censhëm mbi duhanpirjen dhe duhanin në shtetin serb gjatë shekullit XIX, ku përfshihen edhe aspekte si kultivimi i duhanit, taksat dhe monopolet. Studimet mbi llullat në provincat ballkanike të Perandorisë Osmane janë të shumta dhe gjinden kryesisht në koleksione muzeale.

Llullat prej balte dhe duhanpirja e dëshmuar në Arkivin Marubi

Sundimi osman në Shqipëri filloi në vitin 1479, pas rënies së Shkodrës dhe vijoi deri më 1912, varësisht revoltave dhe kryengritjeve, kur Shqipëria u shpall e pavarur gjatë Luftave Ballkanike. Tradita turke e duhanpirjes ishte po aq e përhapur në Shqipërinë Osmane sa edhe në provinca të tjera të Perandorisë. Njëri prej burimeve që na e dëshmon këtë është Arkivi Marubi në Shkodër.

Pietro Marubbi u lind në Piacenza, Itali më 1832[11]. I dyshuar për vrasjen e Dukës së Parmës, ai u largua nga Italia drejt Korfuzit në Greqi. Më pas u vendos në Shqipëri e fitoi strehim në Shkodër. Vendasit e thërrisnin Pjetër dhe aty u martua me një grua italiane, Marietën. Ai hapi një studio fotografike më 1865 ku fotografonte popullsinë vendase, ndërtesa e peizazhe. Dy djemtë e kopshtarit të Marubit, Mati dhe Mikel Kodheli, u bënë shegertët e tij dhe vijuan studion, duke marrë edhe mbiemrin e mjeshtrit. Ka lënë pas një arkiv të çmuar që përfshin fotografi të peizazheve, shtresave të pasura, veshjeve tradicionale, godinave – pra çdo gjë me rëndësi për fotografim u fiksua nga aparatet e Marubbi-t dhe pasardhësve të tij. Arkivi, ndër më të pasurit në Ballkan, përmban më shumë se 500,000 negativë në xham dhe film, pjesë më e madhe e të cilëve është dixhitalizuar.

Disa nga fotografitë e fund shekullit XIX dhe fillim shekullit XX na dëshmojnë për çibukët [Fig. 1–2]. Një burrë me llullë uji na shfaqet në njërën nga fotografitë [Fig. 3]. Shumë fotografi që i përkasin fillimit të shekullit XX, paraqesin burra duke tymosur duhan me pipë në gojë [Fig. 4–7].

Fig. 1. Burrë duke tymosur çibuk (© Arkivi Marubi, Shkodër) / Fig. 2. Ali Pashë Tepelena i përkulur duke tymosur çibuk me bisht të gjatë (© Arkivi Marubi, Shkodër) / Fig. 3. Burrë duke tymosur nargjile (llullë uji) (© Arkivi Marubi, Shkodër) / Fig. 4. Luftëtarë vendas: njëri prej tyre tymos duhan me pipë në gojë (© Arkivi Marubi, Shkodër) / Fig. 5. Luftëtarë vendas: të dy mbajnë në dorë llulla me bisht të gjatë (©Arkivi Marubi, Shkodër) / Fig. 6. Dy anëtarë të rezistencës shqiptare në Kosovë gjatë Luftave Ballkanike: Azem Galica dhe e shoqja, Shota. Azemi mban në dorë llullën me bisht të gjatë (©Arkivi Marubi, Shkodër) / Fig. 7. Luftëtarë vendas: ushtari në mes mban në dorë një llullë me bisht të gjatë ndërsa ai në të majtë, duket sikur ka një llullë të vogël (© Arkivi Marubi, Shkodër)

Artikulli shkencor i studiueses Anna de Vincent “Llulla prej balte të Periudhës Osmane në Kalanë Rozafa të Shkodrës” është pjesë e serisë “Scodra. From Antiquity to Modernity” një publikim i Qendrës Kërkimore mbi Antikitetin në Evropën Juglindore pranë Universitetit të Varshavës (2020)

Dr. Anna de Vincenz është arkeologe dhe hulumtuese e pavarur që jeton e punon në Izrael. Ka kryer gërmime në Itali, Gjermani, Francë dhe Izrael dhe ka punuar si eksperte e qeramikave në Izrael e jashtë vendit, në site të periudhave helenistike, romake, bizantine, islamike dhe osmane. Fusha e saj kërkimore është kultura materiale e Perandorisë Osmane. Ka publikuar raporte dhe artikuj mbi qeramikat dhe porcelanat e gjetura në site të periudhës osmane në Izrael. Ka publikuar një sërë artikujsh mbi traditën e tymosjes së llullës në Malin e Zi, Shqipëri dhe Rajonin e Kurdistanit në Irak. Dr. de Vincenz mban gradën shkencore “Doktor (PhD) pranë Departamentit të Gjuhëve, Civilizime dhe Arkeologjisë së Lindjes së Afërt në Istituto Universitario Orientale, Napoli, Itali.

annasolari@gmail.com
https://aiar.academia.edu/AnnadeVincenz
https://orcid.org/0009-0008-3212-7205

Referencat
[1] Kjo trajtesë është pjesë e një artikulli mbi tymosjen e llullës gjatë periudhës osmane bazuar në disa gërmime arkeologjike në Kalanë e Rozafës në Shkodër. Ottoman Clay Smoking Pipes from Rozafa Fortress in Shkodra”, [in:] Scodra. From Antiquity to Modernity I: A Companion to the Study of Scodra, eds. P. Dyczek and S. Shpuza. Warsaw, pp. 245–277. Disa nga informacionet mbi fotografin Pietro Marubbi janë korrigjuar dhe azhornuar sipas studimit të Dr. Luçjan Bedeni “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipëri” (2021)

[2] J. T. Bent, Early Voyages and Travels in the Levant. I. The Diary of Master Thomas Dallam, 1599–1600. II. Extracts of the Diaries of Dr.John Covel, 1670–1679. With Some Account of the Levant Company of Turkey Merchants, London, p.49, note 1.

[3] E. Bakla, Tophane Lüleciliği: Osmanlı’ nın tasarımdaki yaratıcılığı ve yaşam keyfi [Tophane Creativity of the Ottomans in Design and Joy of Life], Istanbul, p. 363.

[4] Bakla, ibid. p. 362.

[5] M. Stančeva, “O proizvodnji keramičkih lula u Bugarskoj” [About the production of clay pipes in Bulgaria], Zbornik — Muzej primenjene umetnosti 19–20, pp. 129–137 (French summary).

[6] R. C. Robinson, “Clay tobacco pipes from the Kerameikos”, MDAIA 98, pp. 265–285. R. C. W. Robinson, “Tobacco pipes of Corinth and of the Athenian Agora”, Hesperia 54/2, pp. 149–203.

[7] J. W. Hayes, “Turkish clay pipes: A provisional typology”, [in:] The Archaeology of the Clay Pipe, vol. IV, ed. P. Davey (= BAR International Series 62), Oxford, pp. 3–10. J. W. Hayes, Excavations at Saraçhane in Istanbul II: The Pottery, Princeton, pp. 391–395.

[8] E. Bakla, Tophane Lüleciliği: Osmanlı’ nın tasarımdaki yaratıcılığıve yaşam keyfi [Tophane Creativity of the Ottomans in Design and Joy of Life], Istanbul.

[9] H. Kocabaş, “Tophane lüleciliği” [Tophane Pipe Making], Türk etnografya dergisi 5, pp. 12–13.

[10] B. Mijatović, Tobacco and the Serbian State in the 19th Century, Belgrade.

[11] Faktet e reja mbi jetën dhe krijimtarinë e Pietro Marubbi-t janë azhornuar sipas studimit të Dr. Luçjan Bedeni “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipëri” (2021)