1946_6x6_952_At Anton Harapi.jpg

E themeluar si Zyra e Parë e Shtypit në Shqipëri në vitin 1920, menjëherë pas Çlirimit, më 29.12.1944, ajo u shndërrua në ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare) – institucioni i vetëm informativ i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë gjatë diktaturës, me synim përhapjen e informacionit zyrtar mbi veprimtarinë ideologjike, politike, ekonomike, kulturore e shoqërore që zhvillohej në Shqipëri, si dhe mbi ngjarjet politike në botë. Agjencia ishte “Pallati i Lajmeve”. Aktiviteti i saj mediatik artikulohej ndjeshëm edhe përmes shërbimeve fotografike, të cilat pasqyronin veprimtaritë e ndryshme që zhvilloheshin kudo në vend, përçonte në masat popullore politikën dhe arritjet e ndërtimit socialist dhe u siguronte shtypit apo organizatave të interesuara imazhet përkatëse. Si burim kryesor i informacionit për propagandën e Partisë, për shtypin, radion e televizionin shqiptar, qasja e saj mbështetej në parimet marksisteleniniste të PPSH-së, si dhe në mësimet e Enver Hoxhës mbi gazetarinë popullore. Në kërkimet e bëra në arkivin fotografik të ATSH-së, është hequr dorë nga mëtimi i gjithëpërfshirjes dhe shterrimit të këtij burimi të stërmadh, dhe është nisur nga disa vetí thelbësore të mediumit fotografik: pozimi dhe prania e fotografit si përshkrues apo formues i imazhit, herë duke mos u vënë re e, herë duke ndikuar me sugjerimet e tij. Kjo ekspozitë ka përzgjedhur nga ATSH-ja vetëm imazhet fotografike të një periudhe dhe procesi të posaçëm, duke u mbështetur në një paradoks që flet sa për një kohë të caktuar, aq edhe për fotografinë.

1 / 18

Është zgjedhur një periudhë politike (1945-1961), kohë kur diktatura shfaqte hapur qëndrimin e saj agresiv e kërcënues kundrejt personave që kishin një qëndrim ndryshe, duke mbjellë një ndjenjë frike e pasigurie ndaj njerëzve dhe duke rritur pacënueshmërinë e plotfuqinë e saj. Ajo çka vlen të theksohet është se dënimet më të pamëshirshme, nga të cilat shumë prej të akuzuarve përfunduan në litar, para skuadrave të pushkatimit, apo u kalbën për dekada në burgje e kampe pune, u kryen në mjedise ku parësor ishte spektakli, fiksioni, konkretisht në salla kino-teatri. Praktikisht, në ato skena me plate e lozha, ku luhej jeta a vdekja në praninë e një publiku, gjyqet u zhvilluan në seanca të gjata e të njëpasnjëshme. Kjo direktivë për të shpërfaqur publikisht e me arrogancë ritin e vënies se drejtësisë, rezulton të kthehej në një spektakël ankthi. Dënimet në grup të individëve janë fotografuar nga i njëjti kënd, nën të njëjtin ndriçim, me të njëjtën rekuizitë: të njëjtin mikrofon, të njëjtin parmak skenografik. Në rropatjen shpresëpakë, të akuzuarit, brenda të njëjtit mjedis, ‘luanin’, si të kapur në grackë, të njëjtin ‘rol’: atë të fajtorit. Apologjitë e tyre, edhe pse ishin në vendin dhe kushtet e deklamimeve aktoriale, ndonëse gjestet mund të dukeshin të tillë, nuk niseshin aspak nga këto premisa. Dënimi i paracaktuar i tyre flet për gjyqe-farsë (asnjeri prej të dënuarve nuk ia doli të fitojë pafajësinë). Sot, ky akt regjistrimi fotografik, megjithëse këndi i pamjes mund të ketë qenë i përcaktuar nga direktiva e regjimit, na tregon, padyshim, edhe një pikëpamje tjetër: nxjerrjen në pah të diçkaje që nuk kishte ndërmend të shfaqte: një gjyq të fotografisë së gjyqeve.

Broshura e ekspozitës

Screenshot 2023-12-31 010544.png

Kreditë e ekspozitës

  • Kuruar nga
  • Zef Paci
  • Luçjan Bedeni
  • Lek M. Gjeloshi