archive-homepage.jpg

Arkivi u themelua më 1970, si iniciativë e shtetit për shtetëzimin e punës së fotografëve, të cilët deri në atë kohë ushtronin aktivitet privat. Përgjegjësi i tij ishte Gegë Marubi, i cili veç të tjerash realizoi sistemimin dhe regjistrimin e të gjitha materialeve fotografike prej më se 500.000 negativësh, ku përfshihet veprimtaria e 18 fotografëve, kryesisht shkodranë.

Koleksionet përshkojnë një periudhë të gjërë historike dhe dëshmojnë, ndër të tjera, gjurmët e para të fotografisë në Shqipëri. Kësisoj, edhe teknikat e përdorura përgjatë kësaj shtrirje paraqesin një larmi të shumëllojshme: nga teknika e kolodiumit, xhelatinës me kripë argjendi në pllakat e xhamit dhe të planfilmave, te fotografia me rreze infra të kuqe dhe e filmave rul në celuloid.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e materialeve të konservuara në arkiv janë artefaktet e ndryshme, regjistrat e autorëve, albumet dhe pajisjet teknike të përdorura në studiot private para procesit të shtetizimit.

Aktualisht fondet arkivore ruhen në një hapësirë brenda muzeut me standarte bashkëkohore që i përgjigjet procesit të konservimit dhe ruajtes së materialeve të inventarizuara.

Arkivi online përmban 51.000 fotografi në dispozicion të përdoruesve, pra rreth 10% e materialit fotografik që gjendet në arkivin e muzeut. Puna për dixhitalizimin e plotë vazhdon.

  • Pietro Marubbi

    Piacenza, Itali 1834–Shkodër, 1903

  • Kolë Idromeno (Nikollë Arsen Idromeno)

    Shkodër, 1860–1939

  • Mati Kodheli – Marubi

    Shkodër, 1862–1881

  • Kel Marubi (Mikel Kodheli)

    Shkodër, 1869–1940

  • Shan Pici (Mark Pici)

    Shkodër, 1904–1976

  • Dedë Jakova

    Shkodër, 1915–1973

  • Gegë Marubi

    Shkodër, 1907–1984

  • Pjetër Rraboshta

    Shkodër, 1917–1987

  • Angjelin Nenshati

    Shkodër, 1929–2008

  • Lekë Voci

    Shllak, 1938–Shkodër, 2010

  • Lazër Kodheli

    Shkodër, 1928–2008

  • Hilmi Mustafa

    Shkodër, 1934-2022

  • Mehmet Kallfa

    Gjirokastër, 1913–Tiranë, 1972

  • Pirro Mosi

    Shkodër, 1927

  • Safet Dokle / Gjylzade Dokle

    Kukës, 1922-1981 / Kukës, 1922-Tiranë, 1996